Inteligjenca Artificiale (IA) po transformon marketingun me shpejtësi marramendëse, nga mjetet gjeneruese që hartojnë fushata të plota reklamash, te chatbot-ët që menaxhojnë kërkesat e klientëve. Kjo ka shtuar pasiguritë për të ardhmen e roleve njerëzore. Një studim i Stanford-it tregoi se IA po redukton mundësitë e punës në disa sektorë, veçanërisht për punëtorët e rinj.
Megjithatë, ndërsa detyrat rutinë po automatizohen, disa role të marketingut mbeten thelbësore dhe po fitojnë më shumë vlerë kur kombinohen me teknologjinë. Ja cilat janë pesë prej tyre:
1. Specialistët SEO
Kërkimi mbetet shtylla kurrizore e marketingut digjital. Bizneset garojnë për dukshmëri (visibility) dhe specialistët sigurojnë, që faqet të renditen aty ku ka më shumë rëndësi.
SEO moderne shkon përtej fjalëve kyçe, duke përfshirë optimizimin teknik, kërkimin me zë dhe ndërtimin e autoritetit me lidhje cilësore. Algoritmet ndryshojnë vazhdimisht, dhe vetëm strategjia njerëzore mund t’i përshtatë ato me objektivat e biznesit.
2. Analistët e të dhënave në marketing
IA përpunon volum të madh të dhënash, por duhen analistë për t’i interpretuar dhe për t’i kthyer në vendime.
Analistët zbulojnë modele dhe i lidhin me sjelljen e klientëve, duke rritur kthimin nga investimet. Për shkak se kompanitë janë nën presion të tregojnë efektivitet, analistët do të mbeten shumë të kërkuar.
3. Strategët e përmbajtjes
Edhe pse IA po prodhon masivisht tekste, imazhe e video, strategët njerëzorë përcaktojnë mesazhin e duhur, audiencën e synuar dhe përputhshmërinë me vlerat e markës.
Ata menaxhojnë kalendarët editorialë dhe zgjedhin platformat, duke siguruar që përmbajtja të jetë e besueshme dhe të nxisë inovacion. Vetëm njerëzit mund të ndërtojnë narrativa dhe të interpretojnë nuancat kulturore.
4. Menaxherët e marketingut digjital
Këta profesionistë drejtojnë fushata nga reklamat në rrjete sociale te email-et. Ndërsa IA automatizon pjesë të procesit, menaxherët përcaktojnë buxhetet, drejtimin krijues dhe monitorojnë kthimin e investimeve. Në një klimë ku çdo shpenzim marketingu kërkon justifikim, aftësia për të integruar strategjinë, kreativitetin dhe financat mbetet jetike.
5. Menaxherët e markës
Ata kujdesen për reputacionin dhe pozicionimin e kompanisë. Në një epokë ku një gabim bëhet viral brenda minutave, mbikëqyrja njerëzore është e pazëvendësueshme.
IA ndihmon në monitorim, por vendimet mbi mesazhet dhe marrëdhëniet me klientët kërkojnë gjykim njerëzor. Raportet tregojnë se përvoja pozitive e klientit lidhet drejtpërdrejt me rritje financiare, duke e bërë rolin e tyre edhe më të vlefshëm.
IA nuk po zhduk punët, por po rrit rëndësinë e aftësive njerëzore si strategjia, kreativiteti dhe gjykimi. Duke kombinuar aftësitë njerëzore me mjetet e IA dhe me përditësimin e vazhdueshëm profesional, karriera në marketing jo vetëm që mbijeton, por lulëzon. /shqip.al/Katror.info