Në një zhvillim të rëndësishëm për sektorin kulturor, qeveria e Irlandës ka njoftuar këtë javë se skema e të ardhurave bazë për artistët do të bëhet e përhershme. Programi, i cili fillimisht u prezantua gjatë pandemisë për të ndihmuar krijuesit të përballonin pasojat ekonomike, u ofronte pjesëmarrësve një pagesë javore prej 325 euro.
Skema, me një buxhet prej 25 milionë euro, mbështeti mbi 2,000 artistë, ndërkohë që shumë të tjerë aplikuan. Sipas një studimi të pavarur, kjo nismë solli rreth 100 milionë euro në përfitime “sociale dhe ekonomike” për ekonominë irlandeze, duke treguar ndikimin pozitiv të mbështetjes ndaj krijuesve vendas, shkruan Positive News, përcjell Katror.info.

Dr. Andrew White, pedagog i lartë në fushën e kulturës, medias dhe industrive krijuese në King’s College London, theksoi se shumica e programeve të ngjashme në botë janë ndërprerë pas fazës pilot:
“Në shekullin XXI janë testuar shumë skema të të ardhurave bazë, por pothuajse të gjitha janë ndërprerë pas përfundimit të fazës pilot. Ndaj, ndërsa shoqëritë përballen me rreziqet që sjell inteligjenca artificiale për vendet e punës, shumë politika dhe studiues do ta ndjekin me vëmendje përparimin e modelit irlandez.”
Kjo nismë shihet si një shembull frymëzues për vendet që kërkojnë të ruajnë gjallërinë kulturore dhe të mbrojnë krijuesit në epokën e AI-së dhe automatizimit./Katror.info









