Universiteti i Prishtinës do të pranojë këtë javë një donacion të veçantë që vjen nga një prej ish-profesorëve të tij më të angazhuar, Avni Skeja. Ai do t’i dhurojë afër pesë mijë libra bibliotekës së këtij institucioni, në një ngjarje që pritet të zhvillohet të premten më 18 prill, në ambientet e Rektoratit, duke filluar nga ora 10:00.
Ky gjest simbolik, por me rëndësi të madhe për pasurimin e burimeve akademike të studentëve dhe stafit universitar, vjen si rezultat i përkushtimit disa dekadash të zotit Skeja në arsim dhe shkencë. Për më shumë se dyzet vjet, ai ligjëroi në Fakultetin Teknik, sot Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UP.
Gjatë ceremonisë, profesor Skeja do të nderohet nga rektori Arben Hajrullahu në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij afatgjatë dhe për këtë dhuratë me vlerë të shumëfishtë – kulturore, arsimore dhe simbolike.
Ky donacion shihet si shembull frymëzues që, sipas përfaqësuesve të universitetit, duhet të ndjeket nga të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë për zhvillimin e dijes dhe mbështetjen e institucioneve publike.
Për UP-në, një nga institucionet qendrore të dijes në vend, dhurime të tilla nuk janë vetëm ndihmesë materiale, por edhe mesazh për rëndësinë e kujdesit të përbashkët për trashëgiminë intelektuale./Katror.info