Artisti i mirënjohur shqiptar, Jakup Ferri është përzgjedhur për një rezidencë tremujore në Art Explora – Cité internationale des arts në Paris, në një nga programet më prestigjioze që mbështet krijimtarinë artistike dhe shkëmbimin kulturor.
Këtë e bëri të ditur vetë artisti, ku gjithashtu shprehu mirënjohjen e tij ndaj komitetit përzgjedhës të Art Explora – Cité Internationale des Arts për këtë mundësi, që ai e vlerëson si të jashtëzakonshme.
“Jam thellësisht i nderuar që jam përzgjedhur për një rezidencë tremujore në Art Explora – Cité internationale des arts në Paris, gjatë muajve mars, prill dhe maj. Shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj komitetit përzgjedhës të Art Explora – Cité Internationale des Arts që më dha këtë mundësi të jashtëzakonshme”, shkroi ai.

Jakup Ferri është një artist bashkëkohor nga Kosova, i njohur për stilin e tij të veçantë, që ndërthur artin dhe artizanatin tradicional.
Me një qasje eksperimentale dhe një gjuhë vizuale të pasur me ngjyra dhe forma stilizuara, veprat e tij shpesh trajtojnë tema si identiteti, kultura popullore dhe trashëgimia artistike.
Ferri ka ekspozuar gjerësisht në skenën ndërkombëtare dhe ishte përfaqësuesi i Kosovës në edicionin e 59-të në Bienalen e Artit në Venedik në vitin 2022, ku prezantoi një instalacion të bazuar në tekstile të punuara me dorë.
Puna e tij vazhdon të sfidojë kufijtë mes artit bashkëkohor dhe traditës, duke krijuar një dialog të fuqishëm vizual. /Katror.info
Përgatiti:
