Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, mori pjesë në Konferencën e 28-të të nismës SHBA–Karta e Adriatikut A5, e cila u mbajt në Tiranë.
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm Shefat e Mbrojtjes të vendeve të rajonit dhe Agjutantët e Përgjithshëm të Gardave Kombëtare që kanë partneritet me shtetet përkatëse. Konferenca u udhëhoq nga Komandanti i Komandës Amerikane për Evropë (EUCOM) dhe Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë (SACEUR), ndërsa u bashkëkryesua nga Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina.
Gjatë punimeve, u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit rajonal në përballje me sfidat e sigurisë, si dhe nevoja për bashkëpunim civilo-ushtarak në adresimin e sfidave shumëdimensionale.
Në fjalën e tij, Gjenerallejtënant Jashari përsëriti kërkesën që Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut A5, duke nënvizuar se ky hap do të kontribuonte në paqe dhe siguri më të madhe në Ballkanin Perëndimor.
Në kuadër të konferencës, Komandanti i FSK-së zhvilloi takime bilaterale me Komandantin e EUCOM-it dhe njëkohësisht SACEUR-in, Gjeneral Alexus G. Grynkewich, si dhe me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjenerallejtënant Arben Kingji.
Në përfundim, shtetet pjesëmarrëse u dakorduan se nisma të tilla janë thelbësore për forcimin e sigurisë rajonale dhe për adresimin e sfidave të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor./Katror.info