Shkruan: Jeton Jagxhiu, Grafist dhe studiues
Impresione nga ekspozita “Njihe Vetveten”
Krejt në fillim Enesa e bëri një pikë në letër sepse fleta të cilën e kishte përpara ishte krejtësishtë e bardhë – e zbrazët, si asgjë nuk kishte në të. Pastaj pranë pikes ajo pikën e shtoji dhe me pika vazhdoi deri sa e mbushi faqen e parë. Qysh rrushi piqet rrushin duke e pa, ashtu edhe pikat saj filluan me iu pjekë. Fletë mbas flete ajo e mbushi krejt faqet deri sa nuk e plotësoi notesin e parë – me kumedijtë sa miliona pika të cilat kanë një rend e dyzije sa vështirë është njeri me dallu nëse e ka bë dora apo ndonjë vegël e saj. Ata nuk i ngjajnë aspak pikave ekspresive të Pollok-ut Jackson, e as të atyre të Seutat-it Georges i cili me pika ka ndërtu realitete impresive. Pikat e Enesës kanë një përpikmëri të një rituali shpirtëror arkaik që vijnë nga mbrendia e saj – nga gjendjet e saj emocionale.
Kështu u bë faza e saj e parë e ecjes artistike të saj, e cila by the way nuk është prezentuar në këtë ekspozite – e pret një rast tjetër të veçantë.
Në fazën e dytë ajo krijoi një vijë krejtësishtë të drejtë, pothuajse të përsosur si ajo vijë e Zotit të madh I cili ditën e dytë e ndau horizontin duke kriju botën sipas kuptimit tonë. Pastaj ajo atë vijë e ngriti e ia nxori hijen dhe me hije të vijave vazhdoi me pikturu deri sa e plotësoi kanvasin e saj. Kanvas mbas kanvasi hijeve të vijave ia zbuloi ngjyrën dhe kështu përmbydhi fazën e dytë. Keni parasysh, nuk janë këto vija të tërhequra me ekspresion si ato të Van Ghogh-ut Vincent, e as ato si të Mondrian-it Piet. Vijat në reljefin e kanvasit të saj krijojnë hije dramatike sikur dielli i mesdheut në dimër që i terheq hijen objekteve që dalin para rezeve të saj. Hem janë të ngrohta e hem të ftohta, njeri nuk din a me dal para vijës apo me u mshef pas hijës. Mund të jetë kjo vet dilema e autores, them pa siguri!
Kështu ajo krijoi në fazë e saj të dytë artistike.
Në fazën e tretë ajo vijën e lakoi, e kapi dhe e shtrembëroi. Pastaj e theu, e këputi dhe në copa e dekonstruktoi. Diçka nuk i pëlqeu si duket, e bëri një hap a dy prapa dhe pastaj prap vazhdoi me ndërtimin e tyre, por tash me copat e mbetura të vijave të lakura, të këputura e të coptuara. Thu se I ka huazu këto elemente në oborin e një baushtelle me mbetje të copave të stiroporit për izolimin e fasadave. Në dukje të parë kujtojnë pak konstrukcionet e Tatlin Vladimir-it, e ma Malevich Kazimir-it. Megjithate materialin për krijim Enesa e huazon nga përvoja e mbrendshme e saj – këto janë shprehjet hidhërimit apo manifestim i gëzimi të zbulimit. Ndoshta I shërbejnë asaj si një lloj terapie shërimi, të shohim se ku ka me dal. Kështu në “ndërtim e sipër” është faza e tretë e saj.
Në fazën e katërt ajo doli në plazhin e Dhërmiut dhe me kokra të kripës e të zallit e pikturoi horizontin e detit dhe të qiellit përpara saj. Me pika dhe me lëvizjen e tyre të pandërprerë në hapësirë a rrafshit që e krijon demek vijën, ajo sefte e paraqet një pamje të jashtme, pra diçka që sheh me syrin e saj. Po kujdes, se ky pejsazh I pikturuar është një kurth i ngrehur prej saj – në fakt ajo është një deriçkë për me hy mbrenda saj. Eshtë herët me thanë se çka ka me kriju në këtë fazë se dita është e gjatë, po ama tash për tash veç kaq po na tregon Enesa në ekspozitën e saj të parë individuale e cila mund të vizitohet në “Hanin e dy Robertëve” në Prishtinë.
Enesa është arkitekte me profesion dhe ndoshta e vetmja lidhje e saj me pikturim është mënyra se si krijon. Veprat e saja ajo i ndërton si një ingjinjere, prej themeli nga njësitë elementare artistike si pika dhe vija. Ajo është një konstruktiviste par excellence dhe një detajiste me përqëndrim maksimal.
Mirpo pikturat e saj nuk kan kurfarë lidhje me profesionin e saj. Me pika dhe vija ajo nuk ndërton as gjin as gjan. Veprat e saja janë një pasqyrë e gjendjeve shpitërore të saj, të cilat ajo pa mare na e shfaq në ekspozitën e shënuar. Eshtë mirë të vizitoni vet, se veprat e saja janë shumë më komplekse se kaq. Ndoshta vetëm aty mund njohtoni një trohë me krijesën Enesa.
Nëse më lejohet kisha me parafrazu fjalët e saja:
“Secila vijë e ngritur e shpreh vërtetësinë e saj nga hija e vet… Në dukje e sheh vijën e një forme, por hija e prezenton vërtetësinë e formës së saj”.
Bravo Enesa, dorën mos e ndal.
Ky artikull është publikuar në www.katror.info si mbështetje për platformen e kritikes artistike Hani i dy Robertëve
















