Presidenti i zgjedhur i ShBA-së Donald Trump, ka nisur ta kompletojë administratën dhe pozitat e rëndësishme shtetërore.
Ai e bëri të ditur edhe emrin e drejtorit të ri të CIA-s.
John Ratcliffe, do të jetë në krye të kësaj agjencie, njërës prej shërbimeve sekrete më të mëdha dhe më të fuqishme në botë.
Trump, tha se Ratcliffe ka qenë gjithmonë një luftëtar për të vërtetën dhe ndershmërinë me publikun amerikan.
“Jam i kënaqur të njoftoj se ish-Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, John Ratcliffe, do të shërbejë si Drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA). Nga zbulimi i bashkëpunimit të rremë rus si një operacion i fushatës së Clinton, deri te kapja e abuzimit të FBI-së me Liritë Civile në Gjykatën FISA, John Ratcliffe ka qenë gjithmonë një luftëtar për të Vërtetën dhe Ndershmërinë me Publikun Amerikan. Kur 51 zyrtarë të inteligjencës po gënjenin për laptopin e Hunter Biden, ishte një, John Ratcliffe, që po thoshte të vërtetën për Popullin Amerikan”, thuhet në njoftimin e tij.
Ndryshe, John Ratcliffe është nga miqtë e mëdhenj të shqiptarëve.
Po kush është John Ratcliffe?
Ratcliffe njihet për lidhje të forta me komunitetin shqiptar në SHBA.
Më 2016, Ratcliffe kishte qenë i pranishëm dhe kishte mbajtur fjalë rasti në cilësinë e të ftuarit të veçantë në “Forumin Ekonomik Mbarëkombëtar të Diasporës Shqiptare” në New York, i organizuar nga rrjeti shqiptaro-amerikan.
Në disa takime të tjera shihen fotografi të Ratcliffet me Pandeli Majkon, ish ministër i Shqipërisë për Diasporën dhe me Fatmir Mediun, ish-ministër i Mbrojtjes në Shqipëri.
Takime me të kanë pasur edhe zyrtarë nga Kosova, përfshirë deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Kongresisti Ratcliffe është mik i afërt me biznesmenë shqiptarë në Amerikë. Kjo dëshmohet nga fotografitë e postuara në rrjete sociale nga këta biznesmenë./Katror.info