Përfaqësuesja e Lartë, njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, bashkë me Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, kanë vlerësuar procesin zgjedhor në Kosovë.
“Të dielën, qytetarët e Kosovës ushtruan të drejtën e tyre demokratike duke votuar në zgjedhjet e rregullta parlamentare. Bashkimi Evropian ka dërguar një Mision Vëzhgues të Zgjedhjeve, i cili do të qëndrojë në Kosovë për të monitoruar procedurat pas-zgjedhore dhe për të lëshuar rekomandime, “ thuhet në deklaratën e përbashkët.
Sipas gjetjeve paraprake të misionit, zgjedhjet ishin paqësore dhe konkurruese, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve derisa u zbatua ligji i ri zgjedhor.
“Fushata u karakterizua nga një dinamikë e gjallë politike, ndërsa i gjithë procesi tregoi qëndrueshmëri dhe përkushtim ndaj parimeve demokratike.”
Të dy zytaret e larta janë shprehur se presin formimin e shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë së re duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me autoritetet kosovare.
“Qëllimi mbetet afrimi i Kosovës me BE-në dhe shfrytëzimi i mundësive të rëndësishme si Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ne ju bëjmë thirrje institucioneve në Kosovë të angazhohen në bashkëpunim të përgjegjshëm rajonal, të forcojnë sundimin e ligjit dhe administratën publike, si dhe të mbrojnë lirinë e shprehjes,” thuhet në deklaratë.
“Përparimi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë mbetet i vetmi rrugëtim për Kosovën drejt integrimit evropian. Prandaj, Kosova pritet të zbatojë detyrimet e saj nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Dialogut, pa vonesa apo kushte shtesë. Nuk ka alternativë tjetër për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.”
Në deklaratë po ashtu thuhet se Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022.
“Komisioni Evropian mbetet i gatshëm të përgatisë një Opinion mbi këtë aplikim sapo të ketë një kërkesë nga Këshilli.”/Katror.info