Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, e ka pranuar humbjen në balotazhin e së dielës.
Ai ka uruar “fituesit e zgjedhjeve” pa përmendur me emër kundërkandidatin e tij nga LVV-ja, Valon Prebreza.
“Edhe pse nuk arrita të fitoj për ta udhëhequr Fushë Kosovën, ndihem thellësisht mirënjohës për përkrahjen, besimin dhe përkushtimin tuaj të sinqertë” – ka shkruar Osmani në profilin e tij në Facebook.
“Uroj me sinqeritet fituesit e zgjedhjeve – me dëshirën që të punojnë me ndershmëri, përkushtim dhe rezultate që do t’i ndiejnë qytetarët në përditshmërinë e tyre” – ka shtuar ai.
Sipas rezultateve preliminare, Valon Prebreza i LVV-së ka fituar balotazhin për kryetar të Fushë-Kosovës me 54.00 për qind të votave.











