Komiteti Ekzekutiv (KE) i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e ka vlerësuar shumë të rëndësishme arritjen e Përfaqësueses në plejofin për Kupën e Botës 2026.
Kosova siguroi plejofin për Botërorin e vitit të ardhshëm si e dyta e grupit B. La prapa vetes Slloveninë e Suedinë. Zvicra e ka siguruar si e para e grupit paraqitjen në Botërorin në SHBA, Meksikë dhe Kanada, shkruan Koha.
Kosova synon paraqitjen historike në Botëror nëpërmjet plejofit. Në gjysmëfinale do të përballet me Sllovakinë. Nëse e mposht Sllovakinë më 26 mars, në finale më 31 mars do të përballet me fituesin e duelit Turqi – Rumani.
“KE diskutoi dhe vlerësoi paraqitjet e ekipeve kombëtare, veçanërisht të Kombëtares A, duke konstatuar se kualifikimi në plejofit’ të Botërorit 2026 përbën një arritje tejet të rëndësishme për futbollin e Kosovës dhe për progresin e kombëtares sonë. U theksua se fokusi në vijim duhet të jetë tek dy ndeshjet e plejofit, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë organizativ”, shkruan në njoftimin e FFK-së të hënën.
KE e FFK-së në mbledhje ka diskutuar edhe për rrjedhën e garave në të gjitha rangjet, ndërsa caktoi grupin punues të ceremonisë së shpalljes së më të mirëve “Laureatët e vitit 2025”. /Katror.info











