Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit , Hajrulla Çeku bëri të ditur se këto ditë do të shpallet rezultati i procedurës së prokurimit për ndërtimin e katër stadiumeve.
Ai bëri të ditur se këto ditë janë shpallur edhe procedurat e prokurimit për ndërtimin e stadiumit të ri të Suharekës.
“Kategoria 2 eurofazë, kapaciteti rreth 6500 ulëse dhe vlera e investimit rreth 13 milionë euro. Ndërkohë, ditëve në vijim pritet të shpallet rezultati i procedurës së prokurimit për ndërtimin e katër stadiumeve të tjera të futbollit: Ferizaj, Peja, Prizreni dhe Vushtrria”, ka thënë Çeku në konferencë për media, shkruan Telegrafi.
“Këto investime janë pjesë e planit tonë pesë-vjeçar për konsolidimin e infrastrukturës së futbollit në vendin tonë që synon të shndërrojë Kosovën në vendin me infrastrukturën më të avancuar të futbollit në rajon deri në vitin 2028”, përfundoi ministri në detyrë i Sportit. /Katror.info