Kanë filluar punimet për ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit në Suharekë, një investim madhor prej 11 milionë eurosh nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Stadiumi pritet të përfundojë brenda rreth dy vitesh dhe do të ketë kapacitet mbi 6,500 ulëse, shkruan Katror.info
Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, si dhe Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin e sportit në Kosovë:
“Ky stadium është i kategorisë 2 plus sipas UEFA-s, me mbi 6,500 ulëse, dhe është një lajm i madh për Suharekën e futbollin e Kosovës. Me këtë investim po lajmë një pjesë të borxhit shtetëror ndaj klubit Ballkani, që me sukseset e tij në arenën ndërkombëtare ka ngritur imazhin e shtetit tonë.”
Ndërkohë, Ministri Çeku potencoi se projekti është pjesë e programit të Qeverisë për zhvillimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin:
“Tradita sportive e Suharekës dhe rezultatet e jashtëzakonshme të Ballkanit meritojnë këtë investim të madh.”
Stadiumi i ri do të shërbejë si shtëpia moderne e KF Ballkanit, por gjithashtu do të krijojë kushte të avancuara për të gjitha klubet e qytetit, duke mbështetur zhvillimin e talentit të të rinjve dhe të rejave./Katror.info