Kinemaja e Zgjeruar ka njoftuar fillimin e programit të saj për muajt prill dhe maj, i cili do të nisë më 9 prill, në orën 19:00, me një bisedë me z. Masar Drini, dhe si gjithmonë, pas bisedës, do të shfaqet një film.
Ky është një program tradicional i çdo të mërkure në Kino Lumbardhi.
Sipas njoftimit, ky muaj, programi i filmave do të fokusohet në shfaqjen e filmave që kanë tërhequr audiencën më parë në këtë kinema, por gjithashtu do të ftojë edhe vizitorë të hershëm dhe entuziastë të kinemasë në Prizren.
”Dita e nesërme do të shënojë fillimin e programit “Kinemaja e Kujtimeve”, ku z. Drini, i cili ka qenë pjesë e stafit të Kinemasë Lumbardhi deri në vitin 1983 dhe drejtor i saj nga viti 1983 deri në vitin 1993, do të ndihmojë në reflektimin mbi historinë e kinemasë”, thuhet në njoftimin e djeshëm.
Pas bisedës, do të shfaqet një film i zhanrit Spaghetti Western, realizuar në vitin 1970, që sjell një udhëtim komik dhe ikonik mes telasheve, trukeve dhe dëshirës për të bërë atë që është e drejtë.
Ky program mbështetet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) përmes programit “EJA Kosovë”, i cili është bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia, si dhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. /Katror.info
Përgatiti:
