Hiti i Dua Lipa-s, “Levitating”, vazhdon të ngjitet në majat e suksesit. Videoja ka kaluar tashmë shifrën e një miliard shikimeve në YouTube. Ky është klipi i tretë i artistes me origjinë shqiptare që arrin këtë sukses, pas “New Rules” (2017) dhe “No Lie”. E veshur me një fustan blu me shkëlqim në përputhje me vargjet “Glitter in my eye, shining just the way you like”, Dua dhe miqtë e saj vallëzojnë mbi ritmet e hitit.
Në video shfaqet edhe reperi DaBaby, me të cilin Lipa publikoi remiksin e këngës, duke e çuar atë deri në vendin e dytë të Billboard Hot 100 në vitin 2021. “Levitating”, pjesë e albumit Future Nostalgia (2020), u shndërrua në një nga këngët më përfaqësuese të atij viti. Sipas të dhënave të 2025-ës, ky hit është renditur si kënga e nëntë më e madhe e shekullit në Hot 100, duke lënë pas super-suksese si “As It Was” e Harry Styles dhe “Circles” e Post Malone.
Rikujtojmë, se një natë para nisjes së festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë, Lipa u prit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Këngëtares me famë ndërkombëtare dhe që ka rrëmbyer shumë zemra, me dekret presidencial, i është dhënë shtetësia e Republikës së Kosovës. Kryetarja e shtetit e cilësoi nder të veçantë që me dekret presidencial i dha shtetësinë e Republikës së Kosovës, Dua Lipës, një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit. /Katror.info