Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka zhvilluar një takim zyrtar me përfaqësues nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, më 20 maj, shkruan Katror.info.
Në takim morën pjesë atasheu i mbrojtjes, kolonel AJ Berg, nënkolonel Jonathan Shaw si dhe atasheja e ICITAP-it nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, Kimberly Riffe.
Gjatë takimit, drejtori Hoxha i informoi mysafirët mbi situatën e sigurisë në vend, si dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike për të gjithë qytetarët pa dallim. Ai theksoi angazhimin profesional të policisë në përballimin e sfidave të ndryshme ndër vite dhe rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare në tejkalimin me sukses të tyre.
Në këtë kontekst, u vlerësua lartë edhe partneriteti me SHBA-në, i cili sipas Policisë së Kosovës, ka qenë thelbësor për avancimin dhe profesionalizimin e mëtejmë të strukturave policore. Të dyja palët konfirmuan përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme të sigurisë dhe mbështetjes institucionale.
Takimi shërbeu si një dëshmi e lidhjeve të forta ndërmjet Policisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të SHBA-së, duke reflektuar besimin dhe partneritetin strategjik mes dy palëve./Katror.info.