Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në Konferencën e 32-të të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë, e njohur si Conference of European Armies (CEA), e zhvilluar në Wiesbaden të Gjermanisë, shkruan Katror.info.
Jashari mori pjesë në këtë ngjarje me ftesë të Shefit të Shtabit të Ushtrisë amerikane, Gjeneral Randy Alan George. Në konferencë morën pjesë shefat e mbrojtjes nga mbi 40 vende të ndryshme.
Tema kryesore e konferencës ishte “Ndërtimi i Gatishmërisë për Parandalimin Global”, ku u theksua rëndësia e mendimit strategjik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për t’u përballur me sfidat globale të sigurisë. Gjatë diskutimeve u trajtuan gjithashtu çështje të gatishmërisë kolektive, rritjes së ndërveprueshmërisë mes forcave ushtarake dhe përdorimit të të dhënave në kohë reale për analizën e strategjive ushtarake.
Pjesëmarrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në këtë konferencë të nivelit të lartë nënvizon angazhimin e vendit tonë në arkitekturën ndërkombëtare të sigurisë dhe pozicionin e saj si partner i besueshëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë./Katror.info