Komedia “Negotiating Peace” është vënë me sukses në skenën e Milanos, në Teatro Out Off.
Shfaqja e Jeton Nezirajt ka sjellë një performancë të fuqishme dhe thellësisht provokuese. Publiku përjetoi një komedi që sfidon narrativat mbi paqen dhe diplomacinë, duke ngritur pyetje të thella mbi atë çfarë ndodh pas dyerve të mbyllura.
Shfaqja “Negotiating Peace” me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Nezirajt, satirizon negociatat diplomatike në zona të krizash dhe është duke gjetur kontekst kohor çdo ditë e më shumë.
“Negotiating Peace” u shfaq anekënd Evropës dhe së fundmi edhe në Milano, në kuadër të festivalit ndërkombëtar “LIFE 2025 – Theatre Arts Media Festival”.
Shfaqja në Milano erdhi pas një vargu prezantimesh të suksesshme në qytete të ndryshme si Hamburg, Münster, Lajpcig, Zagreb, Oslo, Pragë, Cividale del Friuli, Firence e të tjera.
Një komedi si kjo e ballafaqon publikun me sfidat, frikën dhe shpresën që i shoqërojnë përpjekjet për arritjen e paqes. Në mënyrë satirike dhe politike, shfaqja prek negociatat e paqes pas luftërave të mëdha, përfshirë rastin e Kosovës, Ukrainës, Lindjes së Mesme, Irlandës së Veriut e vendeve të tjera.
Në muajin prill, aktorja shqiptare Ema Andrea, për rolin e saj në shfaqjen “Negotiating Peace” u vlerësua me çmimin prestigjioz italian “Premio Adelaide Ristori 2025”./atsh/Katror.info