Gëzimi i Donald Trump për largimin nga ekrani të Jimmy Kimmel-it (që doli të ishte i përkohshëm) dhe Stephen Colbert-it (ende në fuqi), bashkë me thirrjet e tij për t’i mbyllur emisionet komedi pas mesnatës, mund të tingëllojë shumë si diçka e vitit “2025”. Por për studiuesit e antikitetit, kjo ngjan si ngjarje e vjetër greko-romake, shkruan npr.org, përcjell Katror.info.
Në Athinën e shekullit V p.e.s., ishte çështje krenarie qytetare që komedianët mund të talleshin me çdokënd në pushtet.
“Ata bënin shaka pa mëshirë për politikanët – ndërkohë që politikanët rrinin në publik e dëgjonin – dhe sërish nuk u ndodhte gjë,” thotë Mike Fontaine, profesor i klasikëve në Universitetin Cornell dhe autor i një libri rreth shakave të lashta. Por, sigurisht, kishte kufij. Nga shekulli IV p.e.s., kur bota greke u bë më autokratike, komedianët që nuk pëlqeheshin nga mbreti, përfundonin keq.
“Modeli është identik, prandaj edhe kaq i parashikueshëm”, shpjegon Fontaine. “Prandaj ia vlen të kthehemi tek Greqia dhe Roma e lashtë: aty shohim demokraci që rrëshqitën në autoritarizëm”.
Dy grekë e një romak hyjnë në një lokal…
Plutarku, filozof e historian grek, tregonte histori për fatin e komedianëve që guxuan të talleshin me sundimtarët. Një rast është ai i satiristit të njohur Sotades, në shekullin III p.e.s. Kur Ptolemeu i Egjiptit u martua me motrën e tij, Arsinoenë, Sotades i shkroi një poezi ku i thoshte se “po e shtyn skeptrin në një vrimë të paqytetëruar”.
Ptolemeut nuk iu duk aspak shaka. Ai e futi në burg, dhe më vonë, pasi u arratis, e kapën sërish. Në fund, e mbyllën në një arkivol plumbi dhe e hodhën në det.
Një tjetër histori është ajo e Teokritit nga Hiosi, poet dhe politikan i shekullit IV p.e.s., i njohur për thumbimet e tij të mprehta ndaj pushtetarëve. Kur filloi të punonte për mbretin Antigoni i njohur si “Një syri”, bëri disa shaka për syrin që mbreti nuk e kishte, madje e quajti “ciklop”. Rezultati? U ekzekutua menjëherë.

E njëjta fatkeqësi i gjeti edhe romakë të njohur. Plutarku tregon për Ciceronin, oratorin e madh dhe tepër thumbues, i cili me fjalimet e tij “Filipiket” e shpartallonte Mark Antonin me kritika dhe tallje. “Antonit nuk iu duk aspak për të qeshur,” thotë Fontaine. Përfundimi dihet: Ciceronin e vranë ndjekësit e tij.
Komedianët nën shënjestër – atëherë dhe sot
Edhe Trump nuk i mori me humor komentet e fundit të Kimmel-it në Jimmy Kimmel Live!, ku thumbonte mbështetësit e komentatorit të djathtë Charlie Kirk. Këtë herë Kimmel nuk përfundoi në burg – dhe as ishte ndonjë shaka drejtpërdrejt ndaj Trump – por presioni bëri të vetën. Vetëm dy ditë pas monologut, ABC e pezulloi përkohësisht emisionin, duke iu nënshtruar kërcënimeve të kryetarit të FCC ndaj televizioneve që e transmetonin. Edhe pse Kimmel është rikthyer, dy grupe të mëdha transmetuesish, Sinclair dhe Nexstar, vazhdojnë ta bojkotojnë.
Sipas studiuesve, ky paralelizëm është i qartë: ashtu si komedianët e Athinës e Romës së lashtë përballë demokracive në rënie, edhe sot humori politik po ndëshkohet. Dhe nuk është rastësi që themeluesit e Shteteve të Bashkuara ishin lexues të zjarrtë të Plutarkut. “Ata e dinin mirë se çfarë rreziku paraqesin tiranët për demokracinë,” thotë Caroline Winterer, profesore në Universitetin Stanford. “Besimi i përgjithshëm ishte se pushtetarët duhej të ishin të paprekshëm.”
Sepse bashkë me lavdërimin e popullit vjen edhe pakënaqësia e tij – dhe një nga armët më të forta të fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes ka qenë gjithmonë thumbimi dhe humori./Katror.info.