Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka lansuar të hënën në Prishtinë platformën “MEGAFON”, një iniciativë inovative dhe gjithëpërfshirëse që synon fuqizimin e pjesëmarrjes së fëmijëve dhe të rinjve në jetën publike dhe sociale, raporton Ekonomia Online.
Presidentja e KOMF-it, Remzie Krasniqi, theksoi se platforma është ndërtuar për të krijuar mundësi reale që fëmijët jo vetëm të shprehin mendimin e tyre, por edhe të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së tyre dhe të komunitetit. “Përmes MEGAFON-it, ne shpresojmë që këta të rinj të jenë jo vetëm zëdhënës për veten, por edhe për të tjerët – duke ndikuar pozitivisht në vendimmarrje”, u shpreh ajo.
Eksperti ndërkombëtar për çështjet e fëmijëve, George Bogdanov, vlerësoi platformën si një model që duhet ndjekur në mbarë Evropën. Ai theksoi se përfshirja e fëmijëve në vendimmarrje është thelbësore për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse: “Nuk mjafton t’u japim zë fëmijëve, por duhet t’u japim edhe fuqi reale që të jenë qytetarë të barabartë.”
Lansimi u shoqërua me pjesëmarrjen aktive të të rinjve, të cilët shprehën entuziazëm për këtë hap të ri. “Kur zëri ynë dëgjohet, jemi më të fortë edhe më të lumtur,” tha Egzona Reka, pjesëmarrëse në platformën MEGAFON./Katror.info