Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka ngritur shqetësime lidhur me përfshirjen e fëmijëve në aktivitetet elektorale nga disa subjekte politike gjatë fushatës zgjedhore. Sipas raportimeve nga terreni, disa parti po i përdorin fëmijët për qëllime promovuese, një praktikë që përbën shkelje të të drejtave të tyre, shkruan Katror.info.
Në një deklaratë për media, KOMF bëri thirrje që partitë politike të ndalojnë menjëherë këto veprime, duke theksuar se shfrytëzimi i fëmijëve është i dëmshëm dhe nuk është në interesin më të mirë të tyre. Organizata gjithashtu apeloi ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe mediave që të monitorojnë dhe raportojnë rastet e tilla, duke siguruar njëkohësisht mbrojtjen e identitetit të fëmijëve.
“KOMF u bën thirrje edhe prindërve që të mos i politizojnë fëmijët dhe të mos i përfshijnë në asnjë formë në fushatë, si dhe të shmangin praninë e tyre në aktivitetet e organizuara nga partitë politike,” thuhet në komunikatën e publikuar.
KOMF thekson rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve nga çdo formë abuzimi apo keqpërdorimi, duke rikujtuar se interesi më i mirë i tyre duhet të jetë gjithmonë prioritet./Katror.info