Në Bruksel është mbajtur Forumi i Zgjerimit të Bashkimit Evropian, ku u diskutua mbi progresin e vendeve aspirante për anëtarësim, përfshirë edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor. Edhe pse Kosova nuk u përmend gjatë debatit kryesor, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, dha një mesazh të qartë pozitiv lidhur me procesin evropian të vendit.
E pyetur nga një gazetar i Telegrafit, Kos nënvizoi se megjithëse Kosova ende ka disa kushte për të përmbushur, Bashkimi Evropian mbetet i hapur për bashkëpunim të vazhdueshëm. Ajo konfirmoi se procesi mund të marrë një dinamikë të re pas formimit të qeverisë së re dhe miratimit të planit të reformave në Kuvend.
“Lajmi i mirë është se, që nga zgjedhjet lokale të fundit, gjërat kanë shkuar drejt përmirësimit dhe shumë shpejt do të jemi në gjendje të heqim masat kundër Kosovës,” tha Komisionerja, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe avancimit të agjendës evropiane.
Kos theksoi se institucionet e Kosovës kanë potencial të qartë për të ecur përpara në rrugën e integrimit dhe bëri thirrje për bashkëpunim të ngushtë politik brenda vendit. “Shpresoj, por ju lutem, politikanët tuaj duhet të ecin përpara. Na duhet një qeveri. Nuk kam askënd me të cilin të bisedoj. Kjo është e rëndësishme,” u shpreh ajo.
Mesazhi i Komisioneres u prit si një sinjal optimist se, me stabilizimin institucional dhe avancimin e reformave, Kosova mund të hapë kapituj të rinj në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe të afrohet më shumë me statusin e kandidatit./Telegrafi/Katror.info










