Kompozitori ukrainas Roman Hryhoriv ka shndërruar një raketë të pashpërthyer ruse ‘Uragan’ në një instrument muzikor unikal dhe rrëqethës, duke e kthyer një objekt shkatërrimi në një zë të fuqishëm sfide dhe shprese.
Me tingullin e tij metalik dhe funebër, ky instrument mishëron dhimbjen dhe qëndresën e popullit ukrainas. Më shumë se një vepër arti, krijimi i Hryhoriv-it është një dëshmi e mbijetesës, një ritual pastrimi dhe një mjet për të mbështetur të ardhmen e Ukrainës përmes arsimit dhe ruajtjes së kulturës.
Tingulli i instrumentit është përshkruar si rrëqethës, metalik dhe me një jehonë të thellë emocionale.
Kompozitori ukrainas ka transformuar një raketë ruse në një instrument muzikor, duke e shndërruar atë në një mesazh të fuqishëm shprese dhe sfide, shkruan Positive News, transmeton Katror.info.
Roman Hryhoriv, një nga kompozitorët më të shquar bashkëkohorë të Ukrainës, mori një bombë të pashpërthyer Uragan MLRS, e cila ra në vendin e tij në vitin 2022, dhe zëvendësoi përmbajtjen e saj shpërthyese me tela violonçeli.
Më pas, ai kompozoi “Zëri i Shigjetës së Ferrit” dhe “Kënga e Palindurit” për këtë instrument. Tingulli i tij është përshkruar si rrëqethës, metalik dhe funebër, dhe Hryhoriv tha se ta luash atë është një “ritual pastrimi”.
“Kjo për mua nuk është thjesht një vegël muzikore; ajo shkon përtej muzikës dhe idesë së një koncerti,” shpjegoi ai.
“Ajo simbolizon tmerrin që ka përjetuar populli ukrainas. Asnjë instrument tjetër nuk mund t’i afrohet fuqisë dhe derdhjes së dhimbjes që mbart ky instrument. Historitë e ndërthurura në krijimin e tij dhe lufta jonë e përbashkët e bëjnë atë vërtet të jashtëzakonshëm”, thotë ai.
Hryhoriv e luajti instrumentin për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar gjatë një darke gala të organizuar nga Oxbridge Foundation për Ukrainën në tetor.

Ngjarja u organizua për të ndihmuar studentët e rinj ukrainas që po ndjekin studimet në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA.
Ai performoi bashkë me orkestrën Kyiv Camerata, të drejtuar nga drejtoresha artistike Bogdana Pivnenko dhe drejtoresha muzikore Keri-Lynn Wilson.
“Kjo nuk është thjesht një performancë për hir të krijimit të artit,” tha Hryhoriv.
“Është përdorimi i një artefakti lufte për të sjellë diçka të mirë për vendin tim, për të ndihmuar në mbledhjen e fondeve për Ukrainën dhe për të përmirësuar mundësitë arsimore për të rinjtë ukrainas. Në të ardhmen, do të doja që ky instrument të ekspozohej në një muze. Dua që bota të shohë se ne jemi një komb i fortë dhe se kemi kapërcyer këtë histori brutale”, theksoi ai.
Helen Clarke, bashkëthemeluese e Oxbridge Foundation, tha se ky event ka realizuar vizionin e tyre për të ndërgjegjësuar botën dhe për të vënë në pah vuajtjet dhe mizoritë që ukrainasit ende përjetojnë.
“Ukraina do ta kapërcejë këtë konflikt dhe ne duam të sigurojmë që të rinjtë tanë të cilët janë e ardhmja e vendit të marrin mbështetjen që u nevojitet tani për të ndihmuar në rindërtimin e kombit”, përfundoi ajo./Katror.info
Përgatiti:
