Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur disa nga shkaqet që kanë çuar në mbingarkesën e trafikut në kryeqytet gjatë ditëve të fundit.
Në një njoftim të publikuar në Facebook, autoritetet lokale kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve, duke sqaruar se disa ndërhyrje afatshkurtra në rrugë kanë shkaktuar bllokime dhe vonesa.
Komuna ka theksuar se ndërhyrjet janë të nevojshme për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të rritur sigurinë në qytet, pavarësisht shqetësimeve që kanë shkaktuar.
“Dje, hyrjet dhe rrugët e Prishtinës kanë qenë të mbingarkuara dhe e kuptojmë plotësisht frustrimin dhe indinjatën tuaj. Me përmirësimin e motit, kemi nisur disa ndërhyrje afatshkurtra rehabilituese në zona të ndryshme të qytetit, për të përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe rritur sigurinë për të gjithë. Punimet në rrugë përfshijnë: Rr. Malush Kosova – në proces rehabilitimi, e hapur me pengesa në qarkullim; Rr. Don Shtjefën Kurti – e mbyllur për qarkullim; Rr. Nimete Progonati – e mbyllur për qarkullim; Rr. Agim Ramadani – ndërhyrje për rregullimin e pjesëve të dëmtuara. Punime në rrjetin e kanalizimit: Në rrugën B/C, ku përkohësisht është mbyllur një korsi në dalje nga rruga B dhe një korsi në hyrje të rrugës C. Por njëkohësisht kemi pasur edhe situata të paparashikuara. Nga ora 16:00 e tutje, në kryeqytet janë regjistruar 7 aksidente trafiku, në këto lokacione: Rrethi i Flamurit; Rr. Ibrahim Lutfiu; Rr. Isa Kastrati; Rr. Xheladin Rekaliu; Rr. Vicianum; Rr. Bill Klinton; Rr. Ramiz Cernica”, thuhet në njoftim./Katror.info