Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje ka vendosur që nënkryetari i partisë, Glauk Konjufca, të jetë mandatar për kryeministër.
Vendimi është marrë një ditë para skadimit të afatit 10-ditor të përcaktuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për t’ia dhënë mandatin një kandidati për formimin e qeverisë së re.
Ky hap vjen pas konsultimeve të brendshme në Vetëvendosje, pas zgjedhjeve të mbajtura dhe zhvillimeve politike që kanë vijuar në vend.
Kurti në propozim ka thënë se vetë do të jetë kandidat për ministër të Punëve të Jashtme, për çka ishte propozuar herën e shkuar Konjufca. “Këtë propozim e bëj për shkak të besimit të madh që kam për Konjufcën, por edhe për shkak që të mos bëhen zgjedhje tjera. Unë marr vendin e Glaukut e Glauku timin”, ka thënë ai.
Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që në përpjekjen e parë dështoi të marrë votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër, presidentes Osmani i kërkoi disa ditë kohë para se t`i kthejë përgjigje, nëse do të tentojë sërish të formojë qeverinë apo do t`u bashkëngjitet partive të tjera që janë përcaktuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme./Katror.info



			








                               
                             



