Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, shprehu optimizëm se në seancën e nesërme konstituive nuk do të bëhet vetëm formimi i Kuvendit të Kosovës, por edhe i Qeverisë së re.
“Nesër do të bëhet Kuvendi dhe shumë shpresoj që nesër do të bëhet edhe qeveria. Për të tjerat flasim pastaj”, deklaroi Konjufca.
Ai gjithashtu theksoi se LVV-ja nuk ka refuzuar asnjëherë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se vendimet e saj janë respektuar edhe kur fillimisht janë konsideruar si beteja politike.
“Ne kurrë nuk i kemi refuzuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Deri tash vazhdimisht LVV i ka konsideruar ato beteja politike, por kur Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendim, ne e kemi respektuar. Për shembull, në vitin 2014, kur u tha se shumicën e duhet ta bëjë fituesi i zgjedhjeve, ne u tërhoqëm dhe vazhduam sipas opinionit të Gjykatës”, u shpreh ai.
Deklaratat e Konjufcës vijnë një ditë para seancës konstituive të Kuvendit, e cila është caktuar për nesër në orën 12:00. /Katror.info










