Fotografia origjinale e albumit Aladdin Sane (1973) nga David Bowie është shpallur tashmë arti më i shtrenjtë i një kopertine albumi që është shitur ndonjëherë.
I realizuar nga fotografi i njohur londinez Brian Duffy – një prej ikonave të fotografisë së viteve ’60, përkrah David Bailey dhe Terence Donovan – imazhi i Bowie-t me rrufenë e kuqe e blu që i përshkon fytyrën është bërë simbol i artit dhe muzikës moderne. Portreti, i njohur si “Mona Lisa e Pop-it”, paraqet këngëtarin me grim të theksuar dhe sfond të bardhë të pastër, një estetikë që ka mbetur e paharrueshme në historinë e kulturës pop, shkruan OGN Daily, transmeton Katror.info.

Kopertina u shit më 5 nëntor, në ankandin e Bonhams London, për 380,000 paund (rreth 496,000 dollarë), duke thyer rekordin e mëparshëm që mbahej nga kopertina e albumit debutues të Led Zeppelin, e cila ishte shitur për 325,000 dollarë në vitin 2020.
Në dekadën e fundit, fotografia e Duffy-t është ekspozuar në mbarë botën, si pjesë e turneut ndërkombëtar “David Bowie Is”, organizuar nga Victoria and Albert Museum (V&A). Ky turne u bë ekspozita më e vizituar në historinë 165-vjeçare të muzeut, duke dëshmuar ndikimin e përhershëm të figurës dhe artit të Bowie-t. /Katror.info
Burimi: Only Good News Daily
Përktheu dhe përshtati: Katror.info












