Në një nga sallat më të famshme dhe më të përsosura për akustikë në botë – Filharmoninë e Berlinit – Koncerti “Walking in Beauty” solli një mbrëmje që kaloi përtej notave dhe tingujve.
Publiku pati rastin të dëgjojë për herë të parë veprën “Zanat e Malit”, një kompozim i ri i Kreshnik Aliçkajt, që u interpretua me ndjeshmëri dhe mjeshtëri nga Sihana Badivuku në violinë, Agron Shujaku në piano dhe Aurora Hyseni në kastanjeta. Një premierë botërore që solli magjinë e traditës shqiptare në një skenë ndërkombëtare, ka bërë të ditur vetë Kori Siparantum përmes një njoftimi në Facebook.
Siç thuhet në njoftim mbrëmja vazhdoi me veprat e kompozitorit të njohur norvegjez Ola Gjeilo, i pranishëm vetë në sallë.
“Një nga momentet kulmore ishte dirigjimi i veprës “The Rose” nga dirigjenti i Korit Siparantum, Memli Kelmendi, në mesin e 500 koristëve nga e gjithë bota dhe të shoqëruar nga një orkestër harqesh që vezullonte me fuqinë dhe elegancën e tingullit, duke ngritur atmosferën në një dimension të papërshkrueshëm shpirtëror,” thuhet në njoftim./Katror.info
.