Komiteti Ndërministror i Kosovës për One Health u bë së fundmi anëtar i Fondacionit për One Sustainable Health në Francë dhe i Rrjetit Ballkanik për One Health (BOHN). Ky anëtarësim shënon një hap të rëndësishëm në avancimin e Kosovës në iniciativat ndërkombëtare që promovojnë qasjen One Health, e cila lidh shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit në një kornizë të vetme bashkëpunimi.
Pas anëtarësimit, z. Benoit Miribel, President i Fondacionit “Një Shëndet i Qëndrueshëm për të Gjithë” nën kujdesin e Institutit Pasteur, vizitoi Ministrinë e Shëndetësisë, ku premtoi përkrahje konkrete për ngritjen e kapaciteteve laboratorike të Kosovës.
Qëllimi kryesor i këtij rrjetëzimi është forcimi i kapaciteteve shtetërore për parandalimin, monitorimin dhe menaxhimin e sëmundjeve që transmetohen nga kafshët te njerëzit, mbrojtjen e biodiversitetit dhe ndërtimin e sistemeve të qëndrueshme shëndetësore.
Përmes pjesëmarrjes aktive në këto rrjete, Kosova do të ketë mundësinë të shkëmbejë ekspertizë shkencore dhe profesionale, të zhvillojë projekte të përbashkëta me shtetet e rajonit dhe të BE-së, të ketë qasje më të lehtë në programe kërkimore, trajnime dhe fonde ndërkombëtare, si dhe të rrisë kapacitetet vendore për menaxhimin e krizave shëndetësore dhe emergjencave zoonotike e mjedisore.
Ky hap dëshmon përkushtimin e Kosovës për të kontribuar dhe përfituar nga bashkëpunimi ndërkombëtar për shëndetin e gjeneratave të tashme dhe të ardhshme./Katror.info.