Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me Presidentin e Hungarisë, Tamás Sulyok, ku është diskutuar për avancimin e marrëdhënieve bilaterale dhe mundësitë për bashkëpunim të shtuar ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për të hapur kapituj të rinj në partneritetin me Hungarinë, duke vlerësuar se potenciali për bashkëpunim është i madh në shumë fusha me interes të përbashkët.
Ajo i shprehu Presidentit Sulyok mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin që Hungaria ka luajtur brenda misionit të KFOR-it, për mbështetjen e vazhdueshme që i është dhënë studentëve kosovarë gjatë viteve, si dhe për iniciativat që kanë kontribuar në afrimin e dy vendeve.
Ky takim konfirmon vullnetin e dy shteteve për të forcuar më tej lidhjet diplomatike dhe për të bashkëpunuar në kuadër të partneriteteve euroatlantike./Katror.info