Në një takim të zhvilluar së fundmi, ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, dhe rektori i Universitetit të Prishtinës (UP), Arben Hajrullahu, kanë diskutuar mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve të dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe miqësisë mes popujve dhe shteteve të Kosovës dhe Izraelit, shkruan Katror.info.
Rektori Hajrullahu e informoi ambasadoren se Universiteti i Prishtinës është i interesuar të zhvillojë projekte të përbashkëta me universitete izraelite, veçanërisht në fushat e bujqësisë, teknologjisë informative dhe menaxhimit të ujërave. Ai theksoi se këto fusha ofrojnë mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e institucioneve arsimore dhe avancimin e shkencës dhe kërkimit.

Ambasadorja Ziv, gjatë takimit, nënvizoi se Izraeli është lider botëror në menaxhimin e ujërave dhe sugjeroi që UP të zhvillojë bashkëpunim me Thecnion — Institutin e Teknologjisë së Izraelit, i cili është i njohur për arritjet e tij në fushën e teknologjisë informative dhe menaxhimit të ujërave. Ajo gjithashtu përmendi mundësitë e bashkëpunimit me Universitetin Hebraik në Jerusalem, i cili ka një program të njohur për bujqësinë, si dhe Institutin Volcani për hulumtime bujqësore.
Ambasadorja Ziv e theksoi gjithashtu se një student nga Kosova tashmë është duke studiuar në nivelin master në Universitetin e Haifas në Izrael, dhe pritet që dy studentë të tjerë nga Kosova të fillojnë studimet në këtë universitet në të ardhmen.
Bashkëpunimet mes personelit dhe studentëve të UP-së dhe universiteteve izraelite tashmë kanë filluar, dhe një hap tjetër në këtë drejtim do të jetë Universiteti Veror i Prishtinës, i cili sivjet do të shënojë 25-vjetorin e tij.

Në këtë takim morën pjesë edhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Rozafa Basha, dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi, dhe drejtori i Zyrës për Kërkime dhe Projekte të Sponsorizuara, Fitim Seferi.
Ky bashkëpunim është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve akademike dhe shkencore ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, dhe pritet të sjellë mundësi të reja për studentët dhe studiuesit e të dy vendeve./Katror.info