Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë afër përmbylljes së Dialogut Strategjik, një marrëveshje historike që synon forcimin e partneritetit mes dy vendeve. Lajmi është konfirmuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me Zëvendës Sekretarin amerikan, Richard Verma.
Ky proces ka nisur me propozimin e dërguar nga Presidentja Osmani në vitin 2021, të rikonfirmuar në qershor 2022 përmes një note verbale dhe më vonë në korrik 2022 gjatë takimit me Sekretarin Blinken. Përmes një angazhimi të vazhdueshëm nga ekipet e të dyja vendeve, Dialogu Strategjik pritet të finalizohet së shpejti, duke përfshirë fusha me interes të veçantë për qytetarët e Kosovës.
“Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate,” ka shkruar Presidentja Osmani.
Dialogu Strategjik shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA, duke përforcuar përkushtimin për bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen.
Richard R. Verma është zëvendës sekretar i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet në Departamentin Amerikan të Shtetit, pozitë që ai e mban që nga 5 prilli 2023., duke mbikqyrur menaxhimin e burimeve dhe operacioneve të Departamentit të Shtetit, përfshirë çështjet financiare, personelin dhe infrastrukturën, për të siguruar funksionimin efikas të diplomacisë amerikane në mbarë botën./Katror.info