Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) ka shpallur një thirrje zyrtare për të gjithë kineastët dhe produksionet vendore që dëshirojnë të aplikojnë për përfaqësimin e Kosovës në edicionin e 98-të të Academy Awards (Oscars), në kategorinë e Filmit Ndërkombëtar / Gjuhë e Huaj.
Kjo kategori përfshin filma të metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë apo të animuar, me kohëzgjatje mbi 40 minuta, të cilët janë shfaqur ose do të shfaqen në kinema ose platforma Video on Demand (VOD) për të paktën 7 ditë radhazi, në një periudhë kohore që fillon më 1 tetor 2024 dhe përfundon më 30 shtator 2025.
Kriteret kryesore për kualifikim përfshijnë:
- Filmi duhet të ketë shpërndarje të rregullt dhe promovim të krahasueshëm me praktikat standarde të filmave të dedikuar për shfaqje të parë në kinema (theatrical release).
- Çdo lloj shfaqjeje publike jashtë kinemasë përpara shfaqjes zyrtare diskualifikon filmin. Këto përfshijnë: transmetimet televizive, VOD, DVD, shfaqje në avionë, apo transmetime online.
- Aplikimet do të shqyrtohen nga një komision profesional i emëruar nga QKK.
Propozimet mund të dorëzohen me email në: [email protected] ose fizikisht tek Qendra Kinematografike e Kosovës.
Afati i fundit për aplikim: 21 korrik 2025, ora 16:00./Katror.info