Kosova ka shënuar një arritje të rëndësishme duke kaluar me sukses Scorecard-in e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) për vitin fiskal 2025. Lajmi u konfirmua nga Drejtori i MCC për Kosovën, Rinor Gjonbalaj, duke e vendosur Kosovën ndër 26 shtetet nga 76 gjithsej që plotësuan kriteret e vlerësimit.
Scorecard është një matës i performancës së politikave në fusha kyçe si ekonomia, sundimi i ligjit dhe investimi në njerëz, që ndihmon në sigurimin e vazhdueshëm të asistencës financiare nga MCC.
Rezultatet kryesore të Kosovës sipas Scorecard-it përfshijnë:
- Liritë ekonomike:
- Politikat fiskale: 69%
- Politikat tregtare: 96%
- Mundësitë e punësimit: 97%
- Sundimi i ligjit:
- Të drejtat politike: 28 pikë
- Liritë civile: 32 pikë
- Kontrolli i korrupsionit: 75%
- Investimi në njerëz:
- Shpenzimet shëndetësore: 52%
- Normat e përfundimit të arsimit të mesëm për vajzat: 81%
Krahasuar me vitin 2019, kur Kosova vlerësohej në grupin e shteteve me të ardhura të mesme të ulëta, sot krahasohet me shtete me të ardhura të mesme të larta, si Armenia dhe Gjeorgjia. Ky progres reflekton zhvillimin e Kosovës në drejtim të rritjes ekonomike dhe forcimit të institucioneve demokratike.
“Ky raport konfirmon përparimin e Kosovës drejt zhvillimit ekonomik dhe qeverisjes së drejtë e demokratike,” thuhet në postimin zyrtar të ministres Rizvanolli, duke theksuar edhe se Kosova ka bërë avancimin më të madh në rajon për politikat fiskale dhe luftën kundër korrupsionit, me një përmirësim prej 75%, krahasuar me Shqipërinë (56%) dhe Maqedoninë e Veriut (53%).
Përmirësimi i rezultateve të Scorecard-it vë në pah përpjekjet e Kosovës në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe një qeverisjeje transparente, duke siguruar gjithashtu një rol më të fuqishëm në nivel rajonal dhe ndërkombëtar./Katror.info