Policia e Kosovës, përkatësisht zyrtarë të njësive speciale, po përfaqësojnë vendin në garën ndërkombëtare të njësive elitare policore dhe ushtarake “King Abdullah Special Operations Training Center”, që po zhvillohet në Jordani, shkruan Katror.info.
Këtë vit, në garë po marrin pjesë 38 ekipe nga shtete të ndryshme të botës, të cilat po sfidohen në disiplina të ndryshme me shkallë të lartë vështirësie, si gjuajtje me armë të ndryshme, marshime me pesha të rënda dhe ushtrime taktike të nivelit të avancuar.
Njësia elitare e Policisë së Kosovës po dëshmon profesionalizëm dhe përgatitje të lartë në këto gara, duke arritur rezultate të mira krahas ekipeve të forcave speciale nga shtete të tjera. Ekipi i Policisë së Kosovës tashmë është renditur ndër 15 më të mirat, duke u kualifikuar në fazën finale të garës “King Challenge”.
Ky sukses vlerësohet si dëshmi e përkushtimit dhe standardeve të larta të Policisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare./Katror.info