Ministria e Shëndetësisë dhe Shoqata “Grupi Mbështetës për Fibrozë Cistike në Kosovë” kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi për organizimin e Konferencës së 12-të për Fibrozën Cistike në Evropën Juglindore, e cila do të mbahet nga 3 deri më 5 prill 2025, shkruan Katror.info.
Memorandumi u firmos nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe përfaqësuesi i Shoqatës, Atdhe Rama, duke konfirmuar angazhimin e institucioneve për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të përmirësuar trajtimin e kësaj sëmundjeje të rrallë. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Ministria e Shëndetësisë do të mbështesë organizimin e konferencës me një fond prej 30,000 eurosh.
Fibroza cistike është një sëmundje gjenetike e cila prek mushkëritë dhe sistemin tretës, duke shkaktuar probleme serioze me frymëmarrjen dhe tretjen. Organizimi i kësaj konference synon të rrisë cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve për pacientët në Kosovë dhe rajon, duke sjellë së bashku ekspertë shëndetësorë dhe përfaqësues të komunitetit mjekësor nga Europa Juglindore.
Ky aktivitet ndërkombëtar do të shërbejë si një platformë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në trajtimin e kësaj sëmundjeje, duke përforcuar përpjekjet për përmirësimin e kujdesit shëndetësor për pacientët me fibrozë cistike në Kosovë./Katror.info