Tre marrëveshje në fushën e drejtësisë janë miratuar në mbledhjen e Qeverisë mes Kosovës, Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.
Kryeministri Albin Kurti, gjatë kësaj mbledhjeje, tha se këto marrëveshje do të forcojnë më tej bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, shkruan Albanian Post.

“Republika e Kosovës ka vazhduar të avancojë pozicionin e saj në marrëdhëniet me shtetet e ndryshme. Në këtë kuadër, Mbretëria e Bashkuar ka pranuar të thellojë bashkëpunimin për transferimin e personave të dënuar, ndihmën e ndërsjellë juridike në çështje penale dhe ekstradimet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar”, tha Kurti para kabinetit qeveritar.
Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, prezantoi të tre marrëveshjet.
Marrëveshja e parë e prezantuar nga Haxhiu është ajo për transferimin e personave të dënuar ndërmjet Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut.
“Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është përmirësimi i mëtejshëm i bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e drejtësisë, vendosja e drejtësisë dhe rehabilitimi social i personave të dënuar, duke mundësuar ekzekutimin e sanksioneve penale në shtetin e vendbanimit të përhershëm të personit të dënuar”, tha Haxhiu.
Marrëveshja e dytë lidhet me ndihmën e ndërsjellë juridike në çështje penale ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.
“Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet penale”, u shpreh Haxhiu.
Marrëveshja e tretë është ajo për ekstradim ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, përfshirë Irlandën e Veriut.
“Kjo marrëveshje bazohet në aspiratën dhe zotimin e Republikës së Kosovës për të zhvilluar partneritetin evropian”.
Në këtë mbledhje qeveria ka miratuar edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e Mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuar nga Departamenti i Mbrojtjes./Katror.info