Opera e Kosovës ka njoftuar mbajtjen e koncertit të radhës me titull “Kosova në Tinguj”, që do të zhvillohet të enjten, më 26 qershor 2025, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, duke filluar nga ora 18:00, shkruan Katror.info.
Ky koncert është konceptuar si një homazh për krijimtarinë e kompozitorëve shqiptarë, duke sjellë në vëmendje vlera të qëndrueshme të trashëgimisë muzikore përmes përpunimeve për zë dhe orkestër harkore.
Nën drejtimin e maestro Edon Ramadani, publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë interpretime nga tri soprano të njohura të skenës vendore: Adelina Paloja, Kaltrina Miftari dhe Zana Abazi Ramadani.
Programi do të pasurohet më tej me interpretimet solistike të Ëmbla Dana në flaut dhe Lum Haxhijakupi në klarinetë, të dy artistë të dalluar në skenën muzikore.
“‘Kosova në Tinguj’ është një vazhdimësi e përkushtimit të institucionit tonë ndaj promovimit të repertorit kombëtar dhe krijimit të një platforme të qëndrueshme për vlerat muzikore shqiptare,” thuhet në njoftimin e Operës së Kosovës./Katror.info