Kosova po merr pjesë në Konferencën e Shtatë Nordike mbi Dhunën Ekstreme, në Aarhus, Danimarkë, njofton Fondacioni për Zhvillim të Komunitetit (Community Development Fund- CDF), transmeton Katror.info.
Në këtë ngjarje, Instituti i Psikologjisë i Universitetit të Prishtinës prezantoi studimin “Nga Siria në shtëpi…”, i zhvilluar në kuadër të projektit Prospero (i implementuar nga CDF dhe i financuar nga Global Community Engagement and Resilience Fund), në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Studimi mbulon tërë ciklin e kthimit – riatdhesim, rivendosje, riintegrim, rehabilitim, reziliencë dhe shëndet mendor – duke ofruar një kornizë analitike për tranzicionin drejt jetës së përditshme në Kosovë.
Pjesëmarrja në konferencë mundësoi shkëmbim praktikash, prezantim arritjesh, rritje të standardeve profesionale, forcim të koordinimit ndërinstitucional dhe zgjoi kureshtje për qasjet dhe rezultatet e Kosovës, thuhet në njoftim. /Katror.info