Ambasada e Francës në Kosovë njofton se nga 6 deri më 11 shkurt 2025, në Paris do të mbahet Samiti për Veprim mbi Inteligjencën Artificiale (AI), ku do të marrë pjesë edhe Kosova, shkruan Katror.info.
Ky samit do të mbledhë udhëheqës të shteteve dhe qeverive, afaristë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, shkencëtarë dhe artistë rreth çështjeve që lidhen me zhvillimin e inteligjencës artificiale, njofton kjo ambasadë.
“Nga 6 deri më 11 shkurt 2025, në Paris, Franca do të jetë nikoqire e samitit për veprim mbi inteligjencën artificiale (AI), i cili do të mbledhë udhëheqës të shteteve dhe qeverive, afaristë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, shkencëtarë dhe artistë rreth çështjeve që lidhen me zhvillimin e inteligjencës artificiale. Kosova po ashtu do të përfaqësohet ne këtë samit”, thuhet në njoftimin e kësaj ambasade.
Samiti për Veprim mbi Inteligjencën Artificiale (AI) synon të bashkojë liderë globalë, ekspertë të teknologjisë, akademikë dhe përfaqësues të sektorit privat për të adresuar sfidat dhe mundësitë që sjell zhvillimi i shpejtë i AI. Diskutimet në këtë samit përqendrohen në çështje kyçe si rregullimi etik i AI, ndikimi i saj në tregun e punës, siguria kibernetike dhe ruajtja e të drejtave të njeriut në epokën digjitale./Katror.info