Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural shënon sot Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve me temën “Pyjet dhe ushqimi”, një iniciativë globale për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e pyjeve në ekosistemet tona dhe në sigurinë ushqimore, shkruan Katror.info.
Ngjarja kryesore mbahet në Parkun e Pishave në Sllatinë, ku pritet të marrë pjesë edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Në të njëjtën ditë, Drejtoria e Parqeve e Komunës së Prishtinës, në bashkëpunim me fëmijët e “Klubit të Gjelbër” të shkollës fillore “Elena Gjika” dhe ndërmarrjen publike “Gjelbër”, organizon një aktivitet të veçantë për Ditën e Pranverës. Në këtë aktivitet, fëmijët do të mbjellin lule sezonale, duke promovuar kujdesin ndaj mjedisit dhe hapësirave të gjelbra. Të pranishëm do të jenë nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, dhe drejtoresha e Parqeve, Donika Çetta.
Dita Ndërkombëtare e Pyjeve, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 28 nëntor 2012, shënohet çdo vit më 21 mars. Që atëherë, në mbarë botën organizohen aktivitete të ndryshme për të theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, si dhe ndikimin e tyre në jetën e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm.
Këto aktivitete në Kosovë synojnë të promovojnë rolin jetik të pyjeve dhe hapësirave të gjelbra në mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë./Katror.info