Kinemaja kosovare ka lënë gjurmë këtë vit në Sarajevo Film Festival, një nga festivalet më të rëndësishme në rajon. Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ambasadën e Kosovës në Kroaci, organizoi një recepsion për të nderuar kineastët kosovarë pjesëmarrës, shkruan Katror.info.
Kosova u prezantua me katër projekte në garën zyrtare: “Sytë e Bernës” i Ermal Gerdovcit (premierë botërore), “Mua besoi më shpëtoi portreti” i Alban Muja, “Vidra” i Srdjan Vuletić (koproduksion minor me producentin Fatmir Spahiu) dhe “Burri i shtëpisë” i Andamion Murataj (koproduksion minor me producentin Ismet Sijarina).
Përfaqësimi i Kosovës nuk u ndal vetëm tek filmat. Veton Nurkollari u angazhua në jurinë e filmave dokumentarë, ndërsa Norika Sefa në jurinë për Barazi Gjinore. Po ashtu, programi Sarajevo Talents solli në skenë të rinj kosovarë si Sami Mustafa, Era Balaj dhe Edona Kryeziu, duke treguar potencialin e gjeneratës së re të kinemasë kosovare.
Pjesëmarrja e gjerë e kineastëve tanë në këtë festival ndërkombëtar dëshmon rritjen e vazhdueshme të industrisë filmike në Kosovë dhe fuqinë kreative të artistëve vendës./Katror.info