Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur konferencën për media para ndeshjes së nesërme kundër Zvicrës, që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Lojtarët dhe stafi teknik kanë theksuar rëndësinë e këtij takimi, duke paralajmëruar se synimi kryesor është fitimi i tre pikëve. Lojtari Albian Hajdari dhe përzgjedhësi Franco Foda kanë deklaruar se ekipi do të hyjë në fushë me ambicie të qarta dhe besim në performancën e tyre, duke vlerësuar se ndeshja kundër Zvicrës ka karakter të veçantë.
Hajdari tha: “Besoj se çdo lojë është e rëndësishme, por ndeshja me Zvicrën është speciale. Synimi ynë është i qartë – të fitojmë tre pikë.”
Ndërsa përzgjedhësi Franco Foda shtoi: “Për ne është shumë e rëndësishme të paraqitemi mirë. Do të mbajmë sistemin tonë të lojës, i dimë pikat e forta të Zvicrës dhe do të bëjmë çmos që taktikat tona t’i zbatojmë në fushë. Synimi ynë është të ushtrojmë presion ndaj kundërshtarit dhe të fitojmë lojën.”
Ndeshja pritet të jetë një përballje e fortë dhe me rëndësi të veçantë për kombëtaren kosovare në përpjekjen për të siguruar tre pikët e radhës./EO/Katror.info











