Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se partitë politike kanë afat deri më 7 dhjetor 2025 për të dorëzuar listat e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës, të planifikuara për më 28 dhjetor.
“Afati për dorëzimin e listës së kandidatëve është deri më 7 dhjetor 2025. Aplikimi bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së: https://apliko.kqz-ks.org“, njofton KQZ.
Deri më tani, 23 subjekte politike kanë aplikuar në KQZ, disa duke garuar të vetme, ndërsa të tjera kanë formuar koalicione parazgjedhore.
Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesë në zgjedhje përmes “Koalicionit Lëvizja Vetëvendosje”, ku përfshihen partnerët e saj të deritanishëm, Guxo dhe Alternativa, si dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK).
Ndryshe, partitë tjera parlamentare do të garojnë me listat e tyre të veçanta. Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojnë të pavarura, ndërsa Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, e cila në zgjedhjet e fundit ishte pjesë e koalicionit me AAK-në, këtë herë do të konkurojë e vetme.
KQZ thekson rëndësinë e respektimit të afatit të dorëzimit të listave për të garantuar një proces zgjedhor të rregullt dhe transparent./Katror.info










