Gati gjysma e kandidatëve për deputetët nga radhët e subjekteve të ndryshme politike pritet të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, raporton Ekonomia Online.
Bëhet fjalë për më shumë se 600 kandidatë për deputetë, të cilët i takojnë 11 subjekteve të ndryshme politike.
Ky lajm është konfirmuar nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë me certfikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Në mbledhjen e sotme të KQZ-së (e mërkurë, 18 dhjetor 2024) në rend dite është certifikimi i 11 subjekteve politike me më shumë se 600 kandidatë”, njoftoi Elezi.
Gjatë periudhës për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës (1 shtator – 11 dhjetor 2024), ai tha se kanë aplikuar: 28 subjekte politike, prej tyre: 20 parti politike; 5 koalicione; 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike, Elezi bënë të ditur se është 1,280 kandidatë./Katror.info