Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë thirrje tek qytetarët që të verifikojnë qendrën e tyre të votimit për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.
Në një video udhëzuese të publikuar nga KQZ, paraqitet një mënyrë e lehtë dhe e qartë për të kontrolluar se ku është caktuar votimi, si dhe për të paraqitur kërkesë për ndërrim brenda komunës përkatëse, nëse ka nevojë.
Afati për të bërë verifikimin apo për të kërkuar ndryshim të qendrës së votimit është deri më 29 gusht 2025, raporton Katror.info.
Procesi mund të bëhet online përmes platformave të saj zyrtare, ose fizikisht në Zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën tuaj.
Për kërkesën e ndërrimit nevojitet paraqitja e dokumenteve të vlefshme identifikuese. KQZ thekson se të gjitha aplikimet do të shqyrtohen brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Për udhëzime të detajuara, shiko videon më poshtë./Katror.info