Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar rezultatet pas procesimit të 35.64 për qind të vendvotimeve nga votimi me postë.
Janë procesuar 67 prej 188 vendvotimeve.
Lëvizja Vetëvendosje ka rritur epërsinë në 52.14 për qind në këto vota apo 10 mijë e 744 vota, karshi 28.40 për qind sa i ka LDK-ja apo 5853 vota. PDK-ja është e treta me 7.94 për qind.
LVV-ja ka pasur trend edhe më të lartë në votimin në përfaqësitë diplomatike, me mbi 80 për qind të votave. E në votimet në vendvotimet në Kosovë, VV-ja ka marrë 40.9 për qind.
Me postë kanë votuar rreth 60 mijë qytetarë. Pas kësaj do të numërohen edhe mbi 15 mijë votat me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara.
Për këto zgjedhje, qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit kanë mundur të votojnë në dy mënyra: përmes postës dhe votimit fizik në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës.
Numërimi i votave me postë nisi më 28 shkurt, teksa numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës është drejt fundit.
KQZ-ja ka thënë se ka aprovuar më shumë se 63.000 pako, që supozohet se janë me fletëvotime.
Përveç votave të diasporës, pa numëruar kanë mbetur edhe votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Pas përfundimit të numërimit të votave dhe certifikimit të rezultateve hapet rruga për formimin e institucioneve të reja.
Sipas rezultateve preliminare, pas numërimit të votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.80 për qind të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05 për qind. E treta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64 për qind të votave, pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46 për qind të votave të fituara. Nga partitë e komunitetit serb, më së shumti vota ka marrë Lista Serbe, përkatësisht 4.62 për qind.
LVV-ja po ashtu po prin bindshëm sa u përket votave të hedhura në përfaqësitë diplomatike./Katror.info