Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të zhvillojë sot pasdite, në orën 15:00, mbledhjen e parë pas shpalljes së datës së Zgjedhjeve Lokale, që do të mbahen më 12 tetor 2025. Në këtë takim, KQZ pritet të miratojë afatet dhe planin e aktiviteteve zgjedhore për zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, shkruan Katror.info.
Lajmi është konfirmuar për RTKlive nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se miratimi i këtij plani do të përcaktojë saktësisht fillimin dhe përfundimin e çdo aktiviteti zgjedhor, përfshirë të gjitha etapat që kanë të bëjnë me votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit.
Sipas Elezit, plani do të përfshijë procesin e aplikimit të partive politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, dorëzimin dhe verifikimin e listave të kandidatëve, si dhe deklarimet për pjesëmarrje përmes koalicioneve. Po ashtu, do të përfshihen afatet për regjistrimin dhe votimin e qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës, si dhe për personat me nevoja të veçanta.
Një segment i rëndësishëm i planit do të jetë periudha e fushatës zgjedhore për subjektet dhe kandidatët e certifikuar, periudha për aplikimin dhe akreditimin e vëzhguesve dhe mediave, si dhe afatet për emërimin dhe trajnimin e trupave zgjedhore, përfshirë Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe këshillat e vendvotimeve. Në fund, parashihet edhe certifikimi i Listës së Votuesve.
Mbledhja e sotme shënon hapin e parë konkret drejt organizimit të zgjedhjeve lokale të tetorit, të cilat pritet të angazhojnë një numër të madh institucionesh dhe qytetarësh në gjithë vendin./Katror.info