Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë sot mbledhjen e radhës, ku pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt 2025, shkruan Katror.info.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se shpallja e rezultateve është përfshirë në rendin e ditës së mbledhjes së sotme.
“Mund t’iu konfirmoj se të shtunën, më 15 mars 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025. Për orën e saktë të mbledhjes së KQZ-së do t’iu njoftojmë me kohë,” ka deklaruar Elezi për RTKlive.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, subjektet politike dhe kandidatët do të kenë mundësinë të paraqesin ankesat e tyre pranë institucioneve përkatëse, përpara se procesi të certifikohet përfundimisht./Katror.info