Pas triumfit të saj në Grand Slamin e Parisit, faqja zyrtare e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos i ka kushtuar një shkrim tjetër xhudistes kosovare, Distria Krasniqi.
30-vjeçarja, e cila ka fituar pothuajse çdo medalje të mundshme – duke përfshirë titullin olimpik, medalje në Botërorin e seniorëve dhe juniorëve, si dhe tituj evropianë dhe Master në xhudo – ka deklaruar se nuk sheh arsye për të dhënë fund karrierës së saj sportive.

“Stërvitjet e mira më mbajnë në formë. Jam me fat sepse nuk kam pasur asnjë operacion. Stërvitem shumë dhe kam arritur rezultate të mëdha, dhe fakti që nuk kam pasur ndonjë lëndim të madh deri tani është shumë e rrallë. Jam falënderuese për këtë, dhe kjo luan një rol të madh që të vazhdoj,” ka thënë Krasniqi.
Pavarësisht se titulli botëror i seniorëve ende i mungon, xhudistja kosovare e konsideron Olimpiadën si qëllimin kryesor: “Të bëhem kampione bote është një nga objektivat, por nuk është qëllimi kryesor. Nëse nuk bëhem kampione bote, kjo nuk do të mbetet një kujtim i keq për mua. Titulli më i rëndësishëm gjithmonë do të jetë ai i Lojërave Olimpike.”
Në lidhje me rivalët, Distria është e qartë: “Në ditën time më të mirë di që mund t’i mund të gjithë dhe kundërshtari im më i madh jam unë vetë.”
Karriera e saj është mbështetur fuqishëm nga trajneri i saj, i cili e ndjek që nga mosha 7-vjeçare: “Trajneri ka një ndikim shumë të madh. Marrëdhënia jonë është më shumë si familjare sesa vetëm sportive. Ndoshta kaloj më shumë kohë me të sesa me familjen.”

Distria Krasniqi mbetet e vetmja nga trioja historike e xhudisteve kosovare, pas tërheqjes së Nora Gjakovës dhe Majlinda Kelmendit, duke u bërë shembull i disiplinës, përkushtimit dhe profesionalizmit në sportin kosovar.
“Vetëm përmes disiplinës, qëndrueshmërisë dhe punës së palodhur mund të arrish kaq shumë. Në fund, puna e palodhur gjithmonë shpërblehet,” ka përfunduar Krasniqi./Katror.info/















