Në frymën e krijimtarisë, ndërgjegjes mjedisore dhe promovimit të artistëve të njohur, por edhe të rinj, festivali më i rëndësishëm i muzikës jazz në Kosovë, Mitrovica International Jazz Days, u rikthye këtë prill me një edicion të veçantë kushtuar Ditës Ndërkombëtare të muzikës jazz.
Ky treditësh që tashmë i është bashkuar Green Touring Network, në bashkëpunim me panairin më të madh të xhazit në botë ‘jazzahead’ na solli koncerte të nivelit të lartë në Mitrovicë dhe Prishtinë me pjesëmarrjen e disa prej artistëve më të njohur të skenës ndërkombëtare të jazz-it.
Nata e parë filloi në hapësirat e Qendrës Kulturore “Rexhep Mitrovica”’ në Mitrovicë, e hapur me performancën e artistes shqiptare, Elina Duni, shoqëruar nga kitaristi britanez, Rob Luft.

“Mitrovica ka qenë gjithmonë i njohur si një qytet i muzikës, kështu që, kjo nuk më çudit aspak për ngrohtësinë dhe për veshët e mirë muzikore që ka publiku i Mitrovicës,” i tha Katror Media Elina Duni, këngëtare dhe kompozitore e muzikës jazz.
“Dihet që nëpër Evropë, nëpër lajme, nuk njihet gjithmonë vetëm për muzikë jazz por tash që po fillon të njihet për jazzin dhe kjo është diçka shumë e bukur që po bën Rona dhe dhe dua ta mbështes,” thotë Elina.
“Unë e kam gjetur zërin tim nëpërmjet gjuhës shqipe, pra sigurisht që të këndosh shqip dhe të këndoj me gjithë me gjithë dialektet jug, veri më pëlqen shumë, më shijon dhe sigurisht që për mua gjuhët, për mua muzika është mënyra më e mirë për të lidhur njerëzit, për të lidhur kulturat.”
Ndërthurja e muzikës folk me jazz-in bashkëkohor mahniti audiencën që kishte mbushur sallën.

“Po ndihem mirë, kjo është hera ime e dytë në Mitrovicë. Kam 8 vjet që luaj bashkë me Elinën, hera e parë që kemi performuar bashkë ka qenë në Tetovë në Maqedoninë e Veriut dhe është gjithmonë shumë qejf, ” thotë në një deklaratë për Katror Media kitaristi britanik, Rob Luft.
“Është shumë mirë të luaj këto këngë, që janë këngë shqipe, për një audiencë shqiptare që e kuptojnë tekstin dhe kuptimin e këngës si këtu në Mitrovicë”.
Mbështetja e institucioneve luan rol të rëndësishëm drejt suksesit të koncerteve të tilla.

“Ne gjithmonë jemi të lumtur që edhe si institucione t’u dalim në mbështetje artistëve, aktivistëve të kulturës që bëjnë punë të mirë, që sjellin cilësi për publikun e Kosovës, por edhe vetë vijmë si publik i kulturës, të shijojmë momente kaq të mira, kaq të bukura, bashkë me publikun që sonte ishte edhe i Mitrovicës, po edhe nga shumë qytete tjera të Kosovës,” tha për Katror Media, ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Publiku reagoi me entuziazëm, duke e përshkruar si një event tejet të nevojshëm për kulturën muzikore në vend. ja se çfarë thonë disa nga ta:
“Në Kosovë nuk besoj që dëgjohet shumë, ama kjo është një muzikë që të kënaq shpirtin edhe besoj që rinia duhet me ardhë shumë me dëgju këtë muzikë.’
“Kjo natë ishte fantastike!’
“Kulturën me promovu na shqiptarët, jemi shumë të ngritun e jemi, me thënë një nivel me Evropën jemi.
Në krye të këtyre mbrëmjeve ishte Rona Nishliu, e cila me çdo detaj të mirëmenduar u sigurua të sjellë një frymë të re në qytetin e saj të lindjes, Mitrovicën.
“Ka shku mbarë edhe kjo natë e parë që zakonisht nata e parë është hapi i parë edhe ma i rëndësishëm dhe si nis nata e parë ashtu edhe përfundon e i gjithë aktiviteti. Mendoj që ka qenë një natë e bukur, që ka qenë një natë plot emocione dhe me një ndërveprim mes Elina Dunit, që është vërtet artistja më e preferuar e këtij zharri në vendin tonë,” tha në një intervistë për Katror Media, Rona Nishliu.

Në natën e dytë, koncerti u zhvendos në Prishtinë, në amfiteatrin e ri pranë Bibliotekës Universitare, duke sjellë atmosferën e jazz-it në zemër të kryeqytetit.
E njohur në mbarë botën si Princesha e Jazz-it, Aziza Mustafa Zadeh me stilin e saj ndërthuri thellësinë shpirtërore të mugamit azerbajxhanas, lirinë e improvizimit të xhazit dhe sofistikimin e muzikës klasike perëndimore.
“Jam shumë e lumtur prej koncertit dhe e gëzuar që jam këtu. Kur është muzikë e vërtetë, nuk ka rëndësi në cilin shtet po performon,” u shpreh për Katror Media, Aziza Mustafa Zadeh, këngëtare dhe pianiste e muzikës jazz.

Në skenë iu bashkua edhe djali i saj 12 vjeçar.
“Jam më e lumtur kur ai luan në piano, me të vërtetë”.
Aziza, si emër i njohur për publikun kosovar, përmes notave me piano krijoi emocione të forta tek ta. Ja se çfarë thonë disa nga pjesëmarrësit.
“Këto janë net që mbahen gjatë mend dhe janë net për mua së paku shumë, shumë cilësore dhe shumë unike,” thotë kitaristi Astrit Stafai.

“Në momentin e parë kur u futa, ula kur thanë: Aziza me te madhe, nuk besova, besomëni që momentin e parë kur e pashë në skenë, lot dulën pak, se shumë emocion normal,” thotë për Katror Media, Xhemil Gjini, baterist.
“Faleminderit shumë këta që kanë organizu e kanë bo e e kanë sjellë e na kanë shti edhe na me u emocionu e m’u kënaq.”
“Mendoj që ka qenë një natë shumë shumë e bukur që njerëzit vërtet e kanë shijuar vetëm një grua magjike në piano dhe shumë pak me vokal, domethënë jo aq shumë ndoshta sa e ka pritë publiku, po gjithsesi ka qenë një natë magjike,” tha Rona Nishliu, drejtoreshë e ‘Mitrovica International Jazz Days.’
Në ditën e tretë festivali u rikthye në Mitrovicë me një zë të freskët në jazzin evropian, që në Kosovë erdhi për herë të pare – Nils Kugelmann Trio, treshja nga Gjermania që përmes tre instrumenteve bëri që publiku të çohet në këmbë e të vallëzojë. Vetë tre pjesëtarët e bandit u ndanë të kënaqur.
“Publiku na priti shumë ngrohtë, po ndihem shumë i çliruar dhe i relaksuar tani dhe ishte një mbrëmje e mirë koncerti për mua.”
“Muzika është e shkruar shumë bukur për ne si treshe.”

“Mendoj se te tretë kemi role të ndryshme në grup dhe kur i bëjmë bashkë gjatë provave e krijon një tingull që sa më shumë që luajmë së bashku vazhdon të rritet.”
Të ulur në rresht të parë, ishin mbështetësit gjermanë që poashtu shijuan performancën argëtuese të grupit. Madje ambasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde, e vlerëson një ngjarje të tillë edhe përtej muzikës.

“Unë e di që Mitrovica ka një traditë shumë të mirë në muzikën jazz dhe meqenëse muzika i bën njerëzit bashkë, ndoshta mundet edhe t’i bëjë bashkë qytetarët e dy anëve të Mitrovicës,” tha ambasadori Rohde për Katror Media.
Nertila Furriku, drejtoreshë e Goethe-Zentrum në Kosovë, tha se kjo qendër një nga pikat kryesore të saj ka “mbështetjen e aktiviteteve kulturore që ndërlidhin Gjermaninë me Kosovën.”
Nata e fundit ishte dëshmi se festivali kishte arritur suksesin e synuar.
“Mendoj që kanë qenë tri net mjaft të bukura me muzikë, të stilit jazz, por të nënzhanreve secila më ndryshe se tjetra. Nata e fundit, që për mua ka qenë më specialja, sepse sjell një braz të ri të gjithë muzikantëve evropianë, është si me thënë një zë që përfaqëson brezin e ri, që sjell ide të reja, që guxon shumë. Kështu që për mua ka qenë një natë shumë e veçantë,” tha Rona Nishliu.
Mitrovica Internacional Jazz Days solli tri net me muzikë të jashtëzakonshme, emocione të forta dhe publik të mrekullueshëm – dhe ne mezi presim të shohim çfarë magjie tjetër do të na sjellë Rona Nishliu me festivalin e themeluar nga ajo./Katror.info